FSK bëhet me dy pilotë të rinj

Forca e Sigurisë së Kosovës është bërë edhe me dy pilotë të rinj.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës që ka njoftuar se nëntoger Atdhe Hasani dhe nëntoger Krenar Voca kanë përfunduar me rezultate të shkëlqyera shkollimin profesional për pilot helikopteri në Akademinë Ushtarake “Kara Havacilik Okulu”, në Turqi.

“Nëntoger Atdhe Hasani, me suksesin e treguar gjatë shkollimit të tij, ka arritur që të radhitet i dyti  në mesin e kadetëve më të mirë të gjeneratës. Oficerët e rinj, të cilët kanë përfunduar me sukses akademinë ushtarake për pilot, pritet që së shpejti, pas kthimit nga Turqia, të angazhohen me shërbim aktiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për të dhënë kontribut në ngritjen e kapaciteteve ushtarake në lëmin e aviacionit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në ceremoninë e diplomimit të dy pilotëve të ardhshëm kosovarë i pranishëm ishte edhe atasheu i FSK-së i akredituar në Turqi, kolonel Bekim Osmani.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se në kuadër të marrëveshjes dypalëshe, Turqia po vazhdon të ndihmojë në ngritjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja të FSK-së.