FSK-ja niset për t’i dalë në ndihmë Republikës së Shqipërisë

Pas marrjes së urdhrit nga Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, një kontingjent i Taskë Forcës së Regjimentit të Mbrojtjes Civile të Gardës Kombëtare të FSK-së, për kërkim-shpëtim urban, i pajisur me mjetet teknike të specializuara, u nisën sot në mëngjes për t’i ndihmuar autoritet shqiptare dhe banorët shqiptarë, me qëllim të përballimit të situatës së krijuar pas goditjes së tërmetit në disa vendbanime të saj, njofon Ministria e Mbrojtjes.

Kontingjenti i FSK-së, përbëhet nga 3 ekipe të Kërkim–Shpëtimit Urban, një ekip K-9, (njësi e përgatitur e qeneve) për situata të tilla, Ekipi i komunikimit, Policia ushtarake e FSK-së dhe ekipi i Mjekësisë.

Lidhur me situatën pas tërmetit në Shqipëri, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, njoftoi: “Varësisht prej nevojave që do të paraqiten në terren, ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me kapacitete shtesë”.