FSK-ja realizon projekt humanitar në Runik të Skenderajt

Forca e Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Skenderajt, përkatësisht Drejtorinë për Arsim të kësaj komune, kanë realizuar projektin humanitar “Nivelimi i ambientit në shkollën fillore „Shotë Galica “në fshatit Runik të Skenderajt”.

Punët fizike, me makineri të rëndë, për realizimin e këtij projekti janë kryer nga Batalioni i Xhenios i Forcës së Sigurisë të Kosovës.

Vlen të ceket se në shkollën fillore ,,Shotë Galica” aderojnë mbi 1200 nxënës, dhe mjedisi i jashtëm i saj, duke qenë se ishte në gjendje jo të mirë, sillte rrezik të vazhdueshëm për nxënësit e saj.

Drejtori i shkollës, z. Rrahim Dervishi, personeli dhe nxënësit e kësaj shkolle kanë shprehur falënderime të veçanta për Forcën e Sigurisë së Kosovës, për ndihmën që ajo i ka dhënë kësaj shkolle dhe në veçanti nxënësve të saj. Ata janë ndarë shumë të kënaqur me punën e përkushtuar dhe mjaft profesionale të Batalionit të Xhenios, gjatë rregullimit të oborrit të shkollës së tyre, njofton Ministria e Mbrojtjes.