Fushë Kosovë: Lëndohet polici gjatë intervenimit në parandalimin e një vetëvrasjeje

Një polic i Kosovës është lënduar pasi ka parandaluar një vetëvrasje në Fushë Kosovë.

Një person ka lajmëruar policinë se gruaja e tij që dy ditë nuk është lajmëruar në telefon dhe nuk e ka hapur as derën.

Me të marrë këtë informacion, Policia ka reaguar duke shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë arritur të shpëtojnë gruan e cila po mbante një copë xhami në dorë, duke kërcënuar se nëse dikush i afrohet do të vetëvritej.

Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar edhe Daut Hoxha i cili, tha se zyrtari policor falë shkathtësive të tij profesionale ka arritur të parandalojë më të keqen duke ia hequr copën e xhamit nga dora, megjithëse gjatë këtij intervenimi zyrtari policor ka marrë disa lëndime trupore, dhe është dërguar për trajtim te menjëhershëm mjekësor.

“Me datë 03.11.2019, rreth orës 12:40 në Fushe Kosove, një person mashkull ka lajmëruar Policinë e Kosovës se gruaja e tij qe dy ditë nuk lajmërohet në telefon dhe nuk e hapë as derën e banesës.

Policia menjëherë ka reaguar duke dalë në vendin e ngjarjes dhe me asistencë edhe nga njësiti i zjarrfikësve kanë arritur të qasen në lokacion (banesë), ku me atë rast kanë hasur me personin e gjinisë femërore, e cila mbante një copë xhami në dorë, dhe e njëjta poashtu ka kërcënuar se nëse dikush i afrohet ajo do të bëjë vetëvrasje.

Zyrtari policor falë shkathtësive të tij profesionale ka arritur të parandalojë më të keqen duke ia hequr copën e xhamit nga dora, megjithëse gjatë këtij intervenimi zyrtari policor ka marrë disa lëndime trupore, dhe është dërguar për trajtim te menjëhershëm mjekësor.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori dhe njësitet kompetente policore janë në proces të marrjes se te gjitha masave operative dhe hetimore lidhur me këtë rast”, ka thënë Daut Hoxha, zëdhënës i policisë së Kosovës.