Garda Kombëtare e FSK-së filloi ngritjen e kapaciteteve

Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, në një ceremoni zyrtare, ka urdhëruar fillimin e ngritjes së Gardës Kombëtare sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Mbajtja e Aftësive Ekzistuese, të cilat deri me tani ishin në vartësi të Brigadës së Mbështetjes Operacionale, kanë kaluar nën komandimin dhe kontrollin e Gardës Kombëtare të udhëhequr nga gjeneral Xhevahir Geci, ndërsa Brigada e Mbështetjes Operacionale ka kaluar në Komandë të Logjistikës në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së nën komandimin e gjeneral Naim Hazirit.

“Kjo është dëshmi se FSK-ja po vazhdon me ngritjen dhe riorganizimin e njësive sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Garda Kombëtare e FSK-së është njësi vartëse e Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së. Në misionin e ri do të mbajë dhe do të zhvillojë aftësitë operacionale në kuadër të Mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile”, njofton Ministria e Mbrojtjes.