Gazeta spanjolle “AS”: Dy futbollistë të Kosovës dalin pozitiv me COVID-19

Sot është dita e ndeshjes (e mërkurë). Përfaqësuesja e Kosovës është gati për përballjen e parë të saj në histori ndaj Kombëtares së Spanjës. Kjo ndeshje është e vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katar 2022”, raporton Insporti.com.

Gazeta spanjolle “AS” ka raportuar se dy mesfushorët e Kosovës, Valon Berisha dhe Bersant Celina janë infektuar me koronavirus dhe nuk do të paraqiten sonte kundër Spanjës.

Këtë raportim të gazetës spanjolle e ka mohuar kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

I pari i FFK-së në një prononcim për “Gazetën Olle” ka mohuar se dyshja e “dardanëve” janë të infektuar me koronavirus, duke e demantuar artikullin e gazetës spanjolle.

“Testet e bërë në Kosovë kanë rezultuar negativ. Këto lajme si shumë të tjera kanë synim destabilizimin e skuadrës. Djelmoshat janë të gatshëm dhe të motivuar që ta përfaqësojnë në mënyrën më të mirë vendin e tyre”.

Sipas artikullit të gazetës spanjolle të botuar më 30 mars (e martë) , Valon Berisha dhe Bersant Celina nuk do të paraqiten kundër Spanjës për shkak se janë të infektuar me koronavirus.

“Për Kosovën është i suspenduar Bernard Berisha pas kartonit të kuq me Suedinë. Valon Berisha dhe Bersant Celina nuk do të luajnë (koronavirus), pra mund të jetë mundësi që Besar Halimi dhe Vedat Muriqi të jenë dyshja e sulmit”, thuhet në artikullin e AS, transmeton Insporti.com.

Megjithatë, sipas Federatës së Futbollit të Kosovës, Valon Berisha mungoi ndaj Suedisë për shkak të një lëndimi.

Berisha ka udhëtuar me skuadrën për në Sevilla, madje dje ka stërvitur por përzgjedhësi Bernard Challandes ka deklaruar në konferencën për shtyp se ende nuk e di sa a do të mund të llogaritë në shërbimet e tij.

Përfaqësuesja e Kosovës sonte do jetë mysafire e Spanjës në ndeshjen e grupit B.

Ndeshja do të zhvillohet në Sevilla me fillim të orës 20:45.