Gent Cakaj në takim me Grenell, flet në emër të Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka njoftuar për një takim në Shtëpinë e Bardhë me të dërguarin e veçantë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Cakaj, i cili vjen nga Kosova, për është ministër i Jashtëm i Shqipërisë, ka thënë se ka biseduar edhe për marrëveshjen e mundshme në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Sot në Shtëpinë e Bardhë në Uashington patëm një takim të shkëlqyer me Ambasadorin Richard Grenell. Biseduam për rëndësinë e një marrëveshje të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës e Serbisë dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, ka shkruar Cakaj në Facebook.

Ai ka shkruar se, nuk ka marrëveshje të fshehtë, plane për shkëmbim territoresh në mes Kosovës e Serbisë e as ndonjë nxitim për arritjen e marrëveshjes.

Cakaj nuk ka njoftuar se a është kordinaur me udhëheqësit e Kosovës për takimin e tij me Grenell në shtëpinë e bardhë.

Nesër ishte e paraparë që në SHBA udhëheqësi te Kosovës dhe Serbisë të ulen në tavolinë të rrumbullakët për të biseduar për vazhdimin e dialogur, mirëpo këto bisedime dështuan, pasi që Presidenti Hashim Thaçi anuloi pjesmarrjen e tij si pasojë e aktakuzës së Prokurorisë Speciale për Krime Lufte.

 

Ky është postimi i plotë i Cakajt:

Sot në Shtëpinë e Bardhë në Uashington patëm një takim të shkëlqyer me Ambasadorin Richard Grenell.

Biseduam për rëndësinë e një marrëveshje të qëndrueshme mes Republikës së Kosovës e Serbisë dhe nxitjes së zhvillimit ekonomik në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi.

Për sqarim: S’KA MARRËVESHJE TË FSHEHTË, AS PLANE PËR NDARJE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, AS SHKËMBIME TERRITORIALE, AS NXITIM PËR NDONJË MARRËVESHJE TË DËMSHME, VEÇ PËRPJEKJE PËR TË NXITUR ZHVILLIMIN EKONOMIK E FORCUAR POPULLIN E REPUBLIKËS SË KOSOVËS NDËRKOMBËTARISHT ME MBËSHTETJEN E SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS!

Pavarësisht sfidave, Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës!

ZOTI I BEKOFTË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!