Gjakova me ndërmarrje të re publike

Kuvendi i Komunës së Gjakovës në mbledhjen e saj të mbajtur sot ka miratuar propozimin e Kryetarit të Komunës, Ardian Gjini, për themelimin e Ndërmarrjes Publike “Arkitekti i Qytetit”. Me themelimin e NP “Arkitekti i Qytetit”, numri i ndërmarrjeve publike të Komunës së Gjakovës shkon në katër.

Në mbledhjen e Kuvendit, nga Luan Dinaj, drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim është dhënë raporti i punës për vitin 2018, me ç’rast ka është thënë se në vitin e shkuar si pasojë e fatkeqësive natyrore ka pasur dëme material në të dy sektorët në shumë prej 250,036 euro. Dëmet në sektorin privat kanë qenë në shumë prej 207,800 euro ndërsa në atë publik 42,236 euro.
Nga anëtarët e Kuvendit të Komunës janë miratuar edhe ndryshimet në Rregulloren e Punës së Kuvendit të Komunës, janë shfuqizuar disa vendime të mëparshme si dhe është marrë vendim për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër për pronat e paluajtshme (dyqanet), themelimin e Komisionit Vlerësues për Dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale, si dhe vendimin për themelimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave në Procedurën e Dhënies në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës Komunale.

Ndërkohë, nga Kryetari i Komunës, Ardian Gjini është dhënë informata mbi kolektorin e ujërave të zeza, duke thënë se brenga e shfaqur për gjerësine e gypave nuk qëndron, pasi është vlerësuar nga ekspertët më të lartë të fushës, ndërkohë që ka thënë se sa më parë duhet nisur ndarja e ujërave fekale nga ato atmosferike, sepse krijon problem shumë të theksuara dhe se një ndarje e tillë është e domosdoshme. Përsa i përket punimeve në parkun e qytetit, kryetari Ardian Gjini ka pohuar se punimet në këtë park unik do të kryhen deri me datë 21 shtator, dhe se i tërë projekti kap shumën prej 330 mijë euro.

Nga kryetari Ardian Gjini është kërkuar që të bëhet shpronësimi i objektit të ish “Bankosit”, i një parcele në lagjen Dardania si dhe në Rezinë, dhe të njëjtat për qëllime strategjike, nga AKP-ja t’i kalojnë në pronësi Komunës, thuhet në njoftimin e Zyrës për Informim të Komunës së Gjakovës.