Gjatë 2019-ës, rrugët ua morën jetën 113 personave

113 persona kanë humbur jetën që nga janari i viti 2019 deri me sot.

Ky vit ka qenë tragjik për Kosovën, vetëm gjatë një viti 113 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve në trafik, raporton lajmi.net.

Nga gjithsej 16 mijë e 46 aksidente sa kishin ndodhur gjatë kësaj periudhe, 100 prej tyre kishin rezultuar me fatalitet, rreth 7 mijë me lëndime, ndërsa afro 10 mijë vetëm me dëme materiale.

Gjatë kësaj periudhe policia ka shqiptuar mbi 411 mijë tiketa.

Nëntë persona më pak kanë humbur jetën gjatë këtij viti, krahasuar me vitin 2018, megjithatë numri i aksidenteve fatale mbetet shqetësues. Ndërsa numri i aksidenteve është rritur në rreth një mijë më shumë këtë vit.

Këto statistika janë bërë të ditura për lajmi.net nga Policia e Kosovës.

“Përderisa gjatë kësaj periudhe të vitit në vendin tonë kanë humbur jetën mbi 100 persona si pasojë e pakujdesisë në drejtimin e automjeteve apo në çfarëdo forme tjetër të pjesëmarrjes në trafik, Policia e Kosovës vlerëson se është e nevojshme që të kemi një angazhim edhe me të madh ndërinstitucional dhe masa proaktive dhe aktive duhet ndërmerren në vazhdimësi për të krijuar rrethana më të favorshme që numri i aksidenteve, në veçanti i atyre me fatalitet të reduktohet edhe më tej”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Policia thotë se pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë mbeten ndër shkaktarët e humbjes së jetëve njerëzore nëpër rrugët tona, prandaj drejtuesit e automjeteve janë bartës kryesor të përgjegjësive gjatë pjesëmarrjes në trafik dhe të njëjtit duhet të jenë mjaftë të matur dhe vigjilent sepse përveç rrezikimit të të tjerëve jo rrallë edhe vetë ata janë pjesë e statistikave fatale.

“Policia si autoritet i zbatimit të ligjit po punon me përkushtim përmes planifikimeve operacionale, fushatave etj, për reduktimin në vazhdimësi të aksidenteve dhe njëkohësisht do të ndërmerr veprime ligjore ndaj kujtdo që shkelë rregullat dhe cenon sigurinë në rrugë”. /Lajmi.net