Gjenerali iranian kërcënon luftanijet amerikane, thotë se janë objektiv i tyre për sulme

Një zyrtar i lartë ushtarak iranian i Gardës Revolucionare Islamike Corp (IRGC) në jug të Iranit kërcënoi me sulme ndaj luftanijeve amerikane që janë pranë Gjirit Persik.

Gjeneral Gholamali Abuhamzeh, komandanti i forcave të IRGC pranë ngushticës së Hormuzit, tha që ato anije luftarake amerikane ishin disa nga 35 objektivat e SHBA-së që Irani ka identifikuar për sulme në rajon, sipas Reuters.

Kërcënimet e Abuhamzeh vijnë si përgjigje e sulmeve ajrore të së enjtes ku SHBA-të vranë gjeneralin Qassem Soleimani, udhëheqësin e Forcave Quds të IRGC. Udhëheqësit iranianë janë zotuar që do të ketë ‘hakmarrje të rëndë’ për vdekjen e Soleimani.

“Ngushtica e Hormuzit është një pikë thelbësore për Perëndimin dhe një numër i madh i luftëanijeve amerikane kalojnë atje … objektivat jetike amerikane në rajon janë identifikuar nga Irani që prej kohësh … rreth 35 objektiva të SHBA-së në rajon janë në mundësitë tona, “tha Abuhamzeh në një deklaratë të qarkulluar së pari nga agjensia e lajmeve Tasnim në Iran.

Në dhjetor, Irani pohoi kontrollin e tij mbi ngushticën dhe mbajti stërvitje detare së bashku me anijet e marinës ruse dhe kineze në Gjirin e Omanit aty pranë. Konflikti midis Iranit dhe SHBA-së është përshkallëzuar javët e fundit, së pari nga milicitë pro-iraniane që qëlluan raketa në një bazë amerikane, e ndjekur nga një seri sulmesh ajrore amerikane kundër milicive.

Ato sulme ajrore amerikane i hapën vendin demonstratave shkatërruese në ambasadën amerikane në Bagdad, Irak, të nxitur nga grupet e milicisë pro-iraniane.

Në përgjigje të demonstratave të ambasadës dhe kërcënimeve iraniane për hakmarrje për vrasjen e gjeneralit të tyre, SHBA ka vendosur trupa shtesë në rajon.

Komentet e Abuhamzeh janë treguesi i fundit i përshkallëzimit midis Uashingtonit dhe Teheranit. /Telegrafi/

Tags: , ,