Gjermania është pro vizave por kundër taksës

Drejtori i deritanishëm për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Christian Hellbach, ka thënë se vendi i tij përkrah liberalizimin e vizave me Kosovën.

Mirëpo, ai, në një intervistë ekskluzive për “Kohën Ditore”, thotë se kjo çështje ende s’ka përfunduar dhe se ky është një vendim i ndjeshëm politik i shteteve anëtare të BE-së.

“Unë jam shumë optimist që do të përparojmë në çështjen e liberalizimit të vizave. Shumë pozitiv është fakti që Ministria e Brendshme gjermane dhe Ministria e Brendshme e Kosovës tani po bashkëpunojnë ngushtë për të sqaruar çështjet e hapura. Mirëpo të gjithë pjesëmarrësit duhet ta dinë se kjo çështje në fund është një vendim politik i ndjeshëm dhe i brendshëm i shteteve anëtare të BE-së. Dhe që duhet ‘vullnet politik’ për të marrë mbështetje”, ka thënë Ambasadori, ndërsa ka shtuar se “nëse mendojmë se është gjë e mirë, apo jo, kjo ndërlidhet me tema të tjera”.

Ai kritikoi edhe udhëheqësinë e Kosovës duke thënë se nëse “në Kosovë nuk do të ketë ndryshime thelbësore së shpejti, dhe kjo vlen edhe për shtetet e tjera të rajonit, atëherë qytetarët do të artikulojnë mendimet e tyre ndryshe, duke emigruar”.

“Evropa ka nevojë për fuqi punëtore, ne kemi bërë përvoja pozitive me qytetarë nga Ballkani Perëndimor – fundja pa emigrantët nga Shqipëria dhe Kosova në Gjermani do të kishte më pak restorante të mira italiane… Por nëse rajoni edhe më tej do të shfrytëzojë mundësinë për zhvillim dhe të arrijë nivelin e BE-së, ai nuk guxon të vuajë. Kjo është një përgjegjësi e madhe për politikanët dhe shoqërinë civile”, deklaroi ambasadori Hellbach.

Ai pati edhe një shprehje gjermane për zhvillimet në vend e rajon. “Nëse kam mësuar një gjë gjatë këtyre viteve, sa jam marrë me këtë rajon, ajo është që ndryshimet duhet të vijnë nga brenda. Ne mund të hapim perspektiva, të bëjmë oferta, të ofrojmë mbështetje konkrete. Por një shprehje gjermane thotë: Nuk mund ta çosh qenin në krah për gjueti. Ai duhet të vrapojë vetë”, përfundoi Christian Hellbach, drejtor i deritanishëm për Evropën Juglindore të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Megjithatë, ai ka kritikuar kushtëzimin që Qeveria e Kosovës i ka bërë procesit.

“Rinisja e dialogut parakupton që të dyja palët t’i qasen njëra-tjetrës dhe të tërhiqen nga kërkesat e tyre maksimale. Është absurde që si parakusht për fillimin e dialogut Serbisë t’i kërkohet ta njohë Kosovën”, thotë Hellbach, duke theksuar edhe se Gjermania nuk ka “asnjë mirëkuptim” për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

“E them këtë si përfaqësues i një vendi që është vend mik dhe mbështetës i Kosovës: Kosova mund dhe duhet të marrë vendimet e veta. Por nuk është gjë e mençur t’i kthesh miqtë e mirë shumë kundër vetvetes”, thotë Hellbach, i cili prej gushtit ia ka dorëzuar detyrën znj. Susanne Schütz, ambasadore e deritanishme e Gjermanisë në Tiranë.

Ambasadori ka thënë po ashtu se nuk arrihet qëllimi duke ua hedhur gjithmonë fajin të tjerëve.

“Kjo vlen si për proceset e zvarritura të transformimit në të gjithë rajonin, ashtu dhe për stagnimin aktual në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Ai, i cili e ka rregulluar shtëpinë e vet dhe qëndron mirë, ai do t’ia dalë t’i mbrojë interesat e tij dhe të arrijë një kompromis të qëndrueshëm. Gjermania e ka njohur Kosovën, nga ky pozicion e mbështet dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Prandaj ne jemi për atë që bisedimet të rifillojnë, si një proces transparent, i strukturuar dhe përfshirës dhe që ai të zhvillohet me insistim, në mënyrë që sa më parë të arrihet një zgjidhje përfshirëse, e qëndrueshme, e cila i rregullon të gjitha çështjet dhe kontribuon në stabilitetin rajonal”, ka thënë Ambasadori Christian Hellbach. / Koha.net