Gjoshi i PDK-së: Albin Kurti dhe Vetëvendosje po pengojnë fillimin e votimit për diasporën

Betim Gjoshi nga PDK-ja ka bërë disa akuza kundër Vetëvendosjes dhe kreut të këtij subjekti, Albin Kurtit.

Në një shkrim në Facebook ai po thotë se LVV-ja është duke e penguar fillimin e votimit për bashkëatdhetarët

“Të tmerruar nga angazhimi i jashtëzakonshëm i PDK-së në Diasporë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti me dy anëtarët e tyre në KQZ, po pengojnë fillimin e votimit për bashkëatdhetarët që jetojnë në mërgim.

Me të filluar dita e sotme, në orën 00:01 KQZ-ja është dashur ta publikojë Fletëvotimin e zgjedhjeve që Diaspora të fillojë votimin.  Kjo nuk po ndodhë sepse përfaqësuesit e Vetëvendosjes në KQZ e kanë bllokuar këtë institucion duke mos lejuar aprovimin e fletëvotimit dhe broshurës së kandidatëve për deputetë”, tha ai.

“Në kundërshtim të plotë me ligjin dhe rregullat e KQZ-së, përfaqësuesit e VV-së në KQZ po duan që në broshurat e kandidatëve të paraqiten numrat e kandidatëve të paçertifikuar nga PZAP-i dhe Gjykata Supreme.  Këta njerëz nuk janë të interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve.  Këta njerëz nuk janë të interesuar as për votimin e Diasporës.  Këta njerëz po duan t’i shkatërrojnë zgjedhjet”, tha ai./GazetaExpress/