Gjuriq – Kurtit: Serbët nuk do t`i luten askujt

Lista Serbe nuk do të hyjë në koalicione dhe marrëveshje koalicioni që nuk do t’i trajtojnë serbët si qytetarë të barabartë dhe nuk e pranojnë vullnetin e tyre legjitim të treguar në zgjedhje.

Kështu deklaroi drejtori i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova me të cilët arritën në pesë përfundime.

“Serbët nuk do t’i luten askujt”, tha Gjuriq dhe shtoi se serbët nuk do të pranojnë që Albin Kurti ose kushdo tjetër të përcaktojë se kush do t’i përfaqësojë ata në institucione.

Ky reagim i tij erdhi si kundërpërgjigje ndaj deklaratës së Kurtit i cili tha se Lista Serbe nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së re të Kosovës.

Në një intervistë për mediumin serb N1, ai ka thënë se një ministër do të jetë nga komuniteti serb por që nuk nënkupton që ai të jetë pjesë e koalicionit qeverisës.