Gjykata ia numëron akuzat për korrupsion, por mjeku kosovar se ndal lojën me letra

I përballur me akuzat për vepra penale të korrupsionit, mjeku Gani Bajraktari, ka gjetur kohë që të “përballet” edhe me sfida tjera, siç mund të jetë përfundimi i lojës “Me letra”.


Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në rastin e njohur si “Stenta 2”, ku ai së bashku edhe me 43 mjekë të tjerë akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për marrje të ryshfetit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance, ku Bajraktari gjendet në bankën e të akuzuarve, një pjesë të kohës e ka kaluar në laptopin e tij, në të cilin ka zhvilluar edhe lojën “me letra”.

Në këtë seancë nga kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, disa herë u është tërhequr vërejtja të akuzuarve për mbajtje të qetësisë si dhe për reagim gjatë dhënies së dëshmisë nga dëshmitarët, pa lejen e trupit gjykues, njofoton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri dhe 42 të akuzuar të tjerë të përfshirë në rastin “Stenta 2”, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.