Gjykata në Beograd i cakton Nezir Mehmetajt 48 orë paraburgim

Mbrëmë është arrestuar në Serbi, në pikëkalimin kufitar të Merdarit duke hyrë në Kosovë, shtetasi kosovar, Nezir Mehmetaj, me urdhërarrest të lëshuar nga gjykata serbe nën dyshimin për krime lufte.

Atij i është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh për shkak të dyshimit për krime lufte kundër civilëve, i ka thënë agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, zëdhënësi i Prokurorit për Krime Lufte në Beograd, Vasilije Seratliq, transmeton Koha.net.

Mehmetajt i është caktuar avokati sipas detyrës zyrtare.

Në afatin prej 48 orësh, ai duhet të paraqitet para prokurorisë për dëgjim, pas së cilës do të vendoset për masë tjetër.

Mehmetaj është nga fshati Rudnicë e Klinës, por që jeton tash e 25 vjet në Zvicër.

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka dënuar arrestimin e Mehmetaj, nga policia serbe. / Koha.net