Gjykata Speciale fton edhe Jetullah Krasniqin nga Prizreni

Ish- ushtari i UÇK-së, Jetullah Krasniqi nga Vlashnja e Prizrenit, ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.
Ai, ka njoftuar se për intervistim është ftuar të lajmërohet me 29 tetor.

Ky është postimi i plotë:
Dua të njoftoj opinionin dhe para se gjithash bashkëluftëtarët e mijë se këto ditë kam pranuar ftesë nga zyra e prokurorit të dhomave të specializuara për t`u paraqitur dhe për të dhënë dëshminë time për periudhën e shërbimit në UÇK.
Edhe pse e konsideroj si një gjykatë të njëanshme dhe një- etnike kam vendosur që kësaj ftese t`i përgjigjem pozitivisht, sepse si sot ashtu edhe dje(para 20 viteve) nuk kemi asgjë për të fshehur e as turpëruar. Është e tmerrshme që ne edhe pas 20 vitesh vazhdojmë të përballemi me drejtësinë mbi bazën e akuzave të ngjarjeve të trilluara nga një Alfred Hickok i kohës moderne siç ishte Dick Marty.

Ndërsa, kriminelët të cilët vranë e masakruan mbi 10 mijë civilë shqiptarë, duke rrafshuar me tokë fshatra e qytete të tëra vazhdojnë të shëtitën të lirë dhe të pa shqetësuar.

Duke marrë parasysh numrin e madh të ftesave që vazhdojnë të dërgohen për pjesëtarët e UÇK-se shihet qarte që këtu nuk kemi të bëjmë me raste individuale, por është një tendencë e zbehjes dhe denigrimit të luftës së UÇK-së dhe sakrificës së popullit tonë për liri.