Gjykatësi në SHBA bllokon Trumpin të ndërtojë murin me Meksikën

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka marrë goditje të rëndë nga një gjykatës federal i SHBA-së. Ky gjykatës ka bllokuar përkohësisht përdorimin e fondeve të Departamentit të Mbrojtjes për ndërtimin murit kufitar ndërmjet SHBA-së dhe Meksikës.

Arsyet mbrapa këtij urdhri janë se buxheti për këtë nuk është miratuar paraprakisht nga Kongresi amerikan. Para disa muajsh, Trump e shpalli si çështje emergjente ndërtimin e murit duke kërkuar që të ketë në dispozicion 6.7 miliardë dollarë duke e ndërlidhur këtë me sigurinë kombëtare të SHBA-së.

Sipas BBC, rreth 20 shtete dhe Unioni Amerikan i Lirive Qytetare (ACLU) kanë ngritur padi ndaj presidentit Trump pikërisht për këtë çështje ku ndër të tjera ishte anashkaluar Kongresi.

Në vendimin e gjykatësit Haywood Gilliam thuhet se përdorimi i fondeve pa miratimin e Kongresit nuk është në pajtim me parimin e ndarjes së pushteteve. “Kur Kongresi refuzon kërkesën e ekzekutivit për fonde, edhe pse ekzekutivi mund të gjejë mënyrën për shfrytëzimin e atyre fondeve ‘pa miratim të Kongresit’, kjo megjithatë nuk është në harmoni me parimet themelore të ndarjes së pushteteve gjë që na kthen mbrapa ditëve të para të Republikës tonë”, ka konstatuar gjykatësi Gilliam.

Ndërtimi i murit ishte paraparë të fillonte këtë vikend në dy prej shteteve të SHBA-së. Por, pavarësisht këtij vendimi, ekziston mundësia që presidenti Trump prapë të gjej fonde të tjera për të ndërtuar murin, raporton BBC.