Gjykatësit e Apelit në Speciale për Haradinaj: argumentet e tij janë te pa baza

Nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haraidnajt i është hedhur poshtë apelimi ndaj vendimit të gjykatësit Nicolas Guillou për t’ia vazhduar paraburgimin në Hagë.

Në arsyet që trupi gjykues i ka rreshtuar në arsyetimin e hedhjes poshtë të ankesës së Haradinajt, konsiderohet se ish-pjesëtari i UÇK-së nuk i ka “sjellë si duhet para Panelit” pretendimet e tij lidhur me ndalimin dhe mbajtjen e tij në paraburgim. Paneli i gjykatësve të Apelit brenda Gjykatës Speciale thotë se Haradinaj gënjeu, kur tha se ka ofruar argumente të hollësishme për ta kundërshtuar vendimin për mbajtjen e tij në paraburgim.

“Për më tepër, pohimi i Haradinajt se ai bëri “argumente të hollësishme” mbi ligjshmërinë e paraburgimit të tij fillestar në parashtresat e tij por se Vendimi i kundërshtuar nuk arrin t’i adresojë ato, është mashtrues. Haradinaj nuk e sfidoi ligjshmërinë e arrestimit dhe ndalimin fillestar të tij dhe as më parë ai nuk ngriti ndonjë çështje të vonesës së panevojshme të paraqitjes para gjyqtarit të vetëm ose gjyqtarit të procedurës paraprake, i cili si pasojë nuk vendosi për këto çështje. Prandaj, ai nuk mund të argumentojë në mënyrë të vlefshme se vendimi i kundërshtuar nuk ka arsyetuar këto pika”, thuhet ndër tjerash në arsyetimin e vendimit.

Apeli i Gjykatësve të Apelit brenda Speciales i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Haradinajt, duke konsideruar se argumentimi i tij në ankesë ka qenë i mangët.

Arggumentet e Haradinajt për ta arsyetuar ankesën e tij, Gjykata e Apelit brenda Speciales i konsideron “(i) argumente pa lidhje me vendimin e kundërshtuar ose argumentet e ngritura për herë të parë në apel; (ii) argumente që nuk arrijnë të identifikojnë gjetjet e sfiduara ose paraqesin gabimisht gjetjet; dhe (iii) thjesht pohime të pambështetura nga ndonjë provë, pohime të pazhvilluara, ose dështime për të artikuluar gabimet”.

Kësisoj, kolegji i gjykatësve të Apelit brenda Gjykatës Speciale ia ka refuzuar ankesën nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj, i cili ishte ankuar pasi Specialja kishte refuzuar ta lirojë atë me kusht.

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova e kishte caktuar një trup gjykues të Gjykatës së Apelit në kuadër të këtij tribunali, për ta shqyrtuar një ankesë të nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj. Trupi gjykues i përbërë nga tre gjykatës e ka shqyrtuar ankesën e Haradinajt, i cili e apeloi vendimin e gjykatësit Nicolas Guillou për t’ia vazhduar atij paraburgimin, duke e hedhur poshtë plotësisht.

Haradinaj u arrestua në Prishtinë më 25 shtator të vitit të kaluar në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga gjykatësi një ditë më parë, dhe u transferuar në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë më 26 dhjetor.

Më 24 dhjetor të vitit që shkoi, gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou urdhëroi vazhdimin e mbajtjes së Haradinajt në paraburgim dhe e refuzoi kërkesën e tij për ta mbajtur një seancë për këtë çështje. Në janar, Haradinaj e apeloi këtë vendim në Gjykatën e Apelit, që funksionon brenda Gjykatës Speciale. /Express/