Gjykimi për degradimin e hekurudhës në Prizren, dëshmitarja: Kemi vepruar sipas planit rregullues urban

Gjykimi për dëmtimin e hekurudhave të Kosovës në linjën Prizren-Klinë ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitares së radhës Gjejlane Gjini, e cila fillimisht ka pasur cilësinë e të pandehurës, mirëpo gjatë procedurës së hetimeve me vendimin e datës 31 dhjetor 2019, janë pushuar hetimet ndaj saj.

Dëshmitarja Gjini, bashkëpunëtore profesionale në Drejtorinë e Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren, deklaroi se plani rregullativ urban ku është planifikuar banimi kolektiv, afarizëm, administratë, pjesë gjelbërimi, pra pjesë përcjellëse të këtyre komplekseve, është aprovuar në tërësi nga Kuvendi Komunal i Prizrenit.

Ndërsa në pyetjen e avokatit Kadri Mjekiqi lidhur me fazat e aprovimit të këtij plani, dëshmitarja theksoi se plani është dërguar në ministrinë përkatëse me qëllim të konfirmimit të ligjshmërisë.

“Unë besoj që ky plan urban ka marr konfirmimin ligjor pasi që edhe sot e kësaj dite ne punojmë me këtë plan”, shtoi Gjini.

Dëshmitarja gjatë përballjes me pyetjet e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, vazhdimisht theksoi se drejtoria ka vepruar sipas planit rregullues urban.

I akuzuari Agron Thaçi e pyeti dëshmitaren se gjatë periudhës së hartimit të planit urban nga Komuna e Prizrenit a i është dërguar ndonjë shkresë me shkrim Hekurudhave të Kosovës apo a është mbajtur ndonjë takim në Kuvend me përfaqësuesit e Hekurudhave për të diskutuar linjën hekurudhore.

Mirëpo, dëshmitarja deklaroi se nuk është kompetente për një gjë të tillë dhe nuk i kujtohet nëse janë informuar autoritetet e INFRAKOS-it.

“Nuk më kujtohet, por e di se ne kemi vepruar sipas planit rregullues urban, i cili cakton kushtet e ndërtimit”, tha ajo.

Megjithatë në vazhdën e pyetjeve nga i akuzuari Thaçi, Gjini shtoi se prej INFRAKOS-it kanë kërkuar pëlqim me rastin e lëshimit të lejeve ndërtimore dhe atë para se të aprovohet plani rregullues urban.

Në fund, prokurori Genc Nixha e pyeti dëshmitaren nëse kanë kërkuar pëlqim nga ana e INFRAKOS-it në rastin konkret tek lejet për ndërtim për Avni Halitin dhe Nexhat Elshanin.

Gjini u përgjigj se nuk kanë kërkuar leje sepse në atë kohë kanë pasur planin rregullues urban dhe kanë vepruar sipas tij.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës gjykimi u shtye për datat 13 dhe 15 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës, Sadik Paqarizi, Nijazi Kryeziu dhe Visar Islamaj në periudhën kohore 2016-2017, në cilësinë e drejtorëve të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare dhe kanë shkaktuar degradimin e pronës dhe infrastrukturës së hekurudhës në komunën e Prizrenit si dhe e kanë bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Bujar Nerjovaj, sipas Prokurorisë së Prizrenit gjatë vitit 2013 në Prizren, duke punuar në cilësinë e drejtorit për Inspeksion në Komunën e Prizrenit, pasi që ka bërë tejkalimin e kompetencave, ka shkaktuar degradimin e pronës si dhe infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit të cilën e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Aktakuza e ngarkon edhe ish-inspektorin komunal Bashkim Krasniqi se duke punuar si person zyrtar në cilësinë e inspektorit të ndërtimit pranë Drejtoratit për Inspeksion të Komunës së Prizrenit ka bërë tejkalimin e kompetencave, me ç’rast pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në Komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Ndërsa i akuzuari Agron Thaçi, gjatë vitit 2013 në Fushë-Kosovë, duke qenë kryeshef në “Infrakos”- Hekurudhat e Kosovës dyshohet se i kishte shkaktuar dëm “Infrakos”-it pasi nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale.

Kurse, i akuzuari i fundit, Naim Avdyli, sipas Prokurorisë gjatë vitit 2013 duke punuar si menaxher i patundshmërive dhe bashkëpunëtor profesional në “Infrakos”, dyshohet se nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër, duke i shkaktuar dëm “Infrakos”-it edhe pse ka qenë i caktuar për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e pronave të hekurudhës, duke neglizhuar detyrat dhe obligimet e veta.

I akuzuari Naim Avdyli, pronën, patundshmërinë si dhe Infrastrukturën e hekurudhës në komunën e Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale./kallxo.com