Gjyqtari Ismaili e polici Gashi, të dyshuar për marrje ryshfeti, u ndërrohet masa e sigurisë me dorëzani

Gjyqtarit Rafet Ismaili e policit Blerim Gashi nga Skenderaj, që ishin arrestuar nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, u është ndërruar masa e sigurisë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Prokuroria Speciale ka kërkuar që atyre, nga paraburgimi t’u zëvendësohet masa në dorëzani, dhe t’u konfiskohet pasaporta, gjë e cila është miratuar nga Gjykata, raporton KTV.

“Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë -Departamenti Special, pas propozimit të prokurorit për ndryshimin e masës së sigurisë për dy të pandehurit R. I. dhe B. G., me datë 18.11.2019, Gjykata ka marrë aktvendim dhe ka ndërprerë masën e paraburgimit dhe të njëjtën e ka zëvendësuar me masën e dorëzanisë dhe konfiskimit të pasaportës kundër të pandehurve R. I. dhe B. G.”, ka thënë Zyra për Media e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Lidhur me këtë, prokurori i rastit, Blerim Isufaj, ka njoftuar është në përfundim të hetimeve e po pret për një ekspertizë, para se të ngre aktakuzën.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se edhe gjyqtari Ismajli e polici Gashi, kanë depozituar shumën prej 10 mijë eurove, si formë e dorëzanisë që të lirohen nga paraburgimi.

Në anën tjetër, Tahir Rrecaj, avokati i gjyqtarit Ismajli, thotë se ky i fundit ka huazuar para e nuk e ka keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ai shton se deri tash Prokuroria nuk ka prezantuar prova që e inkriminojnë klientin e tij.

Rafet Ismajli e Blerim Gashi u arrestuan më 27 shtator, nën dyshimin se kishin keqpërdorur pozitën zyrtare. Sipas Prokurorisë, ata kishin marrë para nga disa persona që ishin të përfshirë në raste të ndryshme penale.

Në shtator ishte arrestuar edhe gjyqtari nga Peja, Sali Berisha, për të njëjtat dyshime. Atij i ishte caktuar masa e paraburgimi që i është vazhduar deri tani.

Prokuroria Speciale i kishte hetuar e përdorur masa të fshehta disa muaj radhazi ndaj tyre deri në vendimin e arrestimit të tyre./ KTV