Gratë cak i dhunës në familje, për 6 muaj 620 viktima

Në të gjitha anët e botës, duke përfshirë edhe Kosovën, gratë dhe vajzat mbeten caku më i shpeshtë i dhunës në familje dhe në shoqëri. Vetëm në vitin 2018 në Kosovë janë raportuar 1533 raste të dhunës në familje, teksa 1229 prej tyre ishin të gjinisë femërore. Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti numri i viktimave të dhunës ka mbërritur shifrën 785, me ç’rast 620 prej tyre janë femra, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Me marsh dhe me aktivitete të shumta të hënën në Kosovë është shënuar Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, teksa numri i femrave të dhunuara gjatë vitit në Kosovë mbetet shifër alarmante. Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2018 janë raportuar gjithsej 1533 raste të dhunës në familje, ku nga këto raste 1229 viktima ishin të gjinisë femërore.

Gjatë periudhës janar – qershor 2019 (gjashtëmujori i parë) janë raportuar 785 raste të dhunës në familje, 620 prej tyre femra. Në anën tjetër, në përgjigjen e Zyrës për Informim të PK-së thuhet se gjatë vitit që po lëmë pas rastet e dhunës në familje janë trajtuar me prioritet nga ky organ.

“Me ngritjet dhe me forcimin e institucioneve vendore, si dhe duke iu falënderuar punës dhe angazhimit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe shumë institucioneve ndërkombëtare, shoqatave të ndryshme, është arritur të ngrihet vetëdijesimi i qytetarëve për raportim të rasteve të tilla dhe se dhuna në familje është trajtuar në formë të veçantë”, thuhet në përgjigjen e tyre dhënë “Zërit”.