Hajni i biçikletave arrestohet në Mitrovicë

Policia e Kosovës ka njoftuar të ketë arrestuar të dyshuarin 19 vjeçarin E.SH., të dyshuar për përfshirje në tri raste të veprave të ndryshme penale në Mitrovicë.

Arrestimi i të dyshuarit E. Sh., 19 vjeç shtetas i Republikës së Kosovës, është bërë mbi dyshime të arsyeshme për tri veprat penale ‘vjedhje e rëndë’ që ishin raportuar muajin e fundit brenda zonës së përgjegjësisë në Mitrovicë.

Cak i këtyre vjedhjeve ishin vjedhjet e biçikletave, ndërsa hetuesit policorë në cilësi të provave materiale kanë arritur të gjejnë dhe të sekuestrojnë katër biçikleta të vjedhura të cilat pas procedurave do t’iu kthehen pronarëve, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Ndërsa pas procedurave të nevojshme intervistuese, nga ana e prokurorit të rastit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.