Haki Abazi thotë për Vjosa Osmanin se nga dita e hënë mund të bëhet Presidente

Ish-Zëvendëskryeministri Haki Abazi ka thënë se halli i deputetit të LDK’së i cili iu vërsul Vjosa Osmanit mbrëmë në Parlament është se Kryeparlamentarja mund të ngjitet në krye të Shtetit nga e hëna kur edhe Hashim Thaçi udhëton për Hagë.

Me këtë rast, ai ka thënë se po vijnë ditë të mira derisa paralajmëron ardhjen e Qeverisë Kurti .

“Halli i Xhavit Ukaj është që pas të hënës Vjosa është e mundur të jetë edhe Presidentja e Kosovës! Kjo e bën shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme të pamundur dhe rrjedhimisht zgjedhjet të pakalueshme e shumë të shpejta. Nuk ka nevojë për komplikim, ditë të mira po vijnë dhe bashkë me to edhe qeveria Kurti!”, ka thënë Abazi që aktualisht ka mbetur pa asnjë pozitë.

Vjosa Osmani është përplasur me fjalë mbrëmë me deputetin e LDK’së, Xhavit Ukaj, i cili shkoi te foltorja e Kryeparlamentares pasi kjo e fundit e kërcënoi se me forcën e sigurimit fizik do ta largonte nga seanca pasi i njëjti protestoi kundër mënyrës se si ish-Nënkryetarja e LDK’së po i favorizonte deputetët e Albin Kurtit.

Vjosa Osmani prej se është prishur koalicioni me Vetëvendosjen ka dalë kundër vendimeve të LDK’së dhe ka përkrahur shumicën e iniciativave të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes.

Ndërkohë, Haki Abazi kohëve të fundit është përballur me akuza të një pjesë të shoqërisë civile se ka përkrahur dy-tri OJQ në dëm të OJQ’ve tjera.