Hamza: PDK po e analizon vendimin për kufizim të lëvizjes për ta dërguar në Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës është duke e analizuar vendimin e ri të qeverisë në detyrë për kufizimin e lëvizjes. Pas kësaj pritet ta dërgojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

Këtë e bëri të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media. Ai tha se primare për deputetët është që të respektohet ligji dhe Kushtetuta.

“Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë obligim në respektimin e legjislacionit dhe Kushtetues. Ne si PDK jemi duke e trajtuar këtë me shumë kujdes. Sigurisht mbi bazën e analizave të sakta do të marrim veprimet konkrete”, tha ai, raporton KSP.

Duke folur për dështimin e pakos emergjente të propozuar nga PDK, Hamza tha se primare tek ta është që të procedohet tutje me dy projektligjet, e jo me rezolutën.

Sipas tij, pa u krijuar baza legale, s’ka mundësi që asnjë masë të jetë e zbatueshme.

“Nuk ka mundësi që pjesë e madhe e masave të propozuara të jetë të implemntueshme të zbatohen pa u krijuar baza legale. Qëllimi jonë sot ka qenë që të krijojmë bazën legale. Nuk mundet brenda ligjit aktual të buxhetit. Sepse shkelet neni 4-5-15 i ligjit të buxhetit. Nuk mund të ndodh kjo pa ndryshim pa plotësim ndryshimin e proces-ndryshimit për e ligjit për financa publike dhe përgjegjësitë”, tha ai.

Ai pati kritika edhe për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk morri fare pjesë në seancë. Sigurisht kanë krijuar përshtypjen se gjithçka mund të bëhet pa ligj, që ligji të shkelet dhe përtej ligjit të shkelet edhe kushtetuta. Nuk e panë fare të arsyeshme të jenë në seancë. Ndërsa tek LDK nuk u pa një vullnet dhe gatishmëri që këto projektligje të futen në procedurë të trajtohen”, tha Hamza.