Hamza: S’kemi vija të kuqe, PDK nuk i përjashton koalicionet as para e as pas zgjedhjeve

Partia Demokratike e Kosovës synon të dalë e para në zgjedhje e jashtëzakonshme që pritet të mbahen. Për arritur këtë qëllim, në partinë e Enver Hoxhajt nuk i përjashtojnë as koalicionet parazgjedhore, pasi shprehën se nuk kanë asnjë vijë të kuqe për partitë tjera politike.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza thotë se në zgjedhje po garojnë me një kandidat i cili i plotëson të gjitha atributet e nevojshme, prandaj sipas tij, presin rezultate të mira zgjedhore.

“Synimi jonë është që të dalim sa më mirë në zgjedhje. Kemi një kandidat i cili i ka të gjitha atributet e nevojshme, jemi në finalizim të programit zgjedhor i cili reflekton nevojat e qytetarëve të Kosovës, kemi ekip të përgatitur, kemi përvojë në këtë punë dhe presim me dalë mirë”, deklaroi Hamza.

Ndërkaq, shton se PDK-ja asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë vija të kuqe me asnjë parti politike.

Hamza thotë se mundësitë për bashkëpunime me partitë tjera janë të hapura.

“Për koalicion para zgjedhor ende janë mundësit e hapura, të shohim se çka prodhon situata. Ne vija të kuqe nuk kemi pasur as në të kaluarën dhe mirë që nuk kemi pasur sepse ata që i kanë pasur mandej i kanë ra vijat e kuqe. Ne konsiderojmë që vijat e kuqe nuk janë të shëndetshme”, deklaroi kryesuesi i Grupit Parlamentar të PDK’së për Blic.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese ka vendosur pro kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje rreth vlefshmërisë së votës së deputetit Etem Arifi për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, me çka edhe zyrtarisht vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme.

Vota e deputetit Etem Arifi që ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor.

Vendimet e Qeverisë mbeten në fuqi, si dhe Qeveria mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, thuhet në vendimin e Kushtetueses./Express