Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka dhënë me kohë qëndrimet rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit.

“Ne jemi kundër koncentrimit të pushtetit te një person apo parti politike, sepse kjo i bën dëm demokracisë në dobi të vendosjes së autoritarizmit”, shkruan Haradinaj.

Ai shtoi se “Shembull për këtë ishte tentimi i mbrëmshëm për marrjen e vendimit ad-hoc për ndryshim të ligjit zgjedhor, duke e kontrabanduar në Kuvend, me arrogancë numrash e shantazhe”.

“Andaj, deputetët e Aleancës, nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur të Kuvendit për votimin e Presidentit”, shkruan Haradinaj.