Haradinaj akuzon Vetëvendosjen për punësime të militantëve, përmend emra

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përmendur emra që sipas tij Vetëvendosje i ka punësuar në institucione publike.

Haradinaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini thotë se LDK nuk është një parti që ngutet kur merr vendime kaq të mëdha si rrëzimi i një qeverie.

“Kur janë krejt të këqinj për ty, duhet me kqyrë edhe veten mos je i keq. LDK nuk është parti që ngutet shumë. Ka pas një zor të madh që e ka marr këtë vendim, për me e rrëzu këtë Qeveri. Hera e parë që LDK prish marrëdhënie qeverisëse me dikë. Duhet të ketë pasur argumente të fuqishme. Nuk e bën LDK-ja Hashim Thaçin, se nuk e donë Hashim Thaçin”.

I pari i AAK-së thotë se LDK për herë të parë në histori të saj ka rrëzuar një qeveri.

“LDK-në gjithmonë e kanë rrëzuar nga qeveria”, tha ai, përcjell Telegrafi.

“VV, me logjikën e saj mashtruese, e ka sjell edhe vendin në një pozitë të rëndë. Kryeministri Kurti e ka humbë shumicën në kohë rekord. Duhet me ia shtry pyetjen vetes se çfarë ndodhi”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj thotë se Vetëvendosje për këtë kohë kaq të shkurtër të qeverisjes ka bërë punësime të militantëve në institucione.

“Diellza Arifi që është motra e Atdhe Arifit është punësuar në Ministri të Bujqësisë. Xhelal Sveçla e ka punësuar familjarin Zylë Sveçla te Haki Abazi. Deputeti Fitim Uka e ka punësuar vëllain te Arben Vitija. Sali Zyba e ka punësuar djalin e axhës Xhelal Zybën te Rozeta Hajdari. Mirsad Shkreta, kandidatë i LVV-së punësohet në Bordin e QKUK-së”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj./Telegrafi/