Haradinaj falenderon qytetarët e Kosovës për ndihmë ndaj të prekurve nga tërmeti në Shqipëri

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka publikuar një mesazh falenderimi ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët kanë ofruar ndihmën e tyre ndaj të prekurve nga tërmeti i javës së shkuar në Shqipëri.

“Angazhimi i qytetarëve të Kosovës për t’u dalë në ndihmë dhe për t’i strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, përveç një veprim human, është edhe një dëshmi e bashkë ndjenjës, solidaritetit dhe lidhjes tonë të përhershme. Secilit nga Ju, ju them FALEMINDERIT!”, ka shkruar Haradinaj në një postim në profilin e tij në rrjete sociale.

Haradinaj më tej ka potencuar punën e bërë në strehimin e të ardhurve nga Shqipëria në ish kampin e KFOR-it në Prizren dhe kontributin e shoqatave bëmirëse në ndihmë ndaj të familjeve të prekura nga tërmeti prej 6.3 shkallë të Rihterit që goditi Durrësin.

“Ne kemi arritur në kohë rekorde që të aktivizojmë Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman dhe të gjitha mekanizmat e nevojshëm, për strehimin e të ardhurve nga Shqipëria dhe nga nesër, listës së gjatë të vullnetmirëve, do t’u bashkohet edhe Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, që për disa ditë, bashkë me organizatat e Prizrenit dhe Shoqatën Jetimët e Ballkanit, do të ofrojnë shujta ushqimi për të strehuarit. Ngjashëm po punojmë edhe me Shoqatën “Nënë Tereza”, për të ndihmuar në evidentimin e të strehuarve dhe ndarjen e ndihmave ushqimore dhe veshmbathje, për bashkëkombësit tanë”, ka shkruar Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.