Haradinaj i prezantoi si vizitë zyrtare pushimet me familje në Zvicër

Ramush Haradinaj është shërbyer me një darkë që dy mërgimtarë ia kishin shtruar, për ta prezantuar si vizitë zyrtare qëndrimin njëjavor në Zvicër, ku kishe udhëtuar me familje e miq për t’i kaluar pushimet dimërore. Në Aeroportin e Cyrihut i ishte ofruar shërbimi VIP, vlera e të cilit për një person ishte 750 franga.

Vizita ka ndodhur në janarin e sivjetmë, sa ishte kryeministër në detyrë.

“Koha Ditore” ka siguruar të hënën korrespodencat që Gani Demaj, shef i kabinetit dhe këshilltar politik i Haradinajt sa ishte kryeministër, kishte realizuar me Ambasadën e Kosovës në Bernë për llogari të përgatitjes së vizitës, raporton KOHA.

Në letrën e parë adresuar Ambasadës, Demaj saktëson se vizita nuk ishte zyrtare.

“Të shtunën, 11 janar 2020, kryeministri në detyrë, SHT z. Ramush Haradinaj, do të arrijë në Zvicër për vizitë private – pushime”, thuhet në e-mailin e parë, përmbajtjen e të cilit e ka siguruar gazeta. “Kryeministri Haradinaj arrin nga Prishtina në Aeroportin e Cyrihut, në orën 16:35, dhe do të jetë i shoqëruar nga bashkëshortja, znj. Anita Haradinaj, vajza H. H., djali T. H., dhe vëllai i Anitës, L. M. Kryeministri Haradinaj kthehet në Prishtinë më datë 17 janar 2020 përmes aeroportit të Cyrihut, nisja nga Cyrihu në orën 13:20”.

Krahas këtyre të dhënave, në këtë komunikim ishte lutur Ambasada që Haradinajt t’i organizohej pritja në Aeroport dhe që të njoftoheshin autoritetet përkatëse zvicerane për qëndrimin e kryeministrit dhe familjarëve të tij, në territorin e këtij shteti. Aty ishte thënë se nuk kishte kërkesë për organizim transporti.

Në një e-mail pasues është theksuar se në delegacion do të jetë edhe z. Pal Lekaj, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministër i Infrastrukturës dhe Transportit./Koha.net/.