Haradinaj kërkon të tërhiqet projektligji për financimin e partive

Shoqëria civile ka kërkuar që në Kuvend, të mos kalojë Projektligji për Financimin e Partive Politike, e për këtë sot protestuan e gjithashtu kanë pezulluar pjesëmarrjen në Komisionin Parlamentar Ad-hoc, për përmirësimin dhe forcimin procesit zgjedhor.

Pas kësaj, ka reflektuar kryeministri Ramush Haradinaj, i cili përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, të merret vendimi për tërheqjen e këtij projektligji.“Pas shqetësimeve të ngritura nga Shoqëria Civile sa i përket ndryshimeve që i janë bërë Projektligjit për Financimin e Partive Politike, gjatë punës në Komisionet Parlamentare, kam propozuar që në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Republikës së Kosovës të merret vendim për tërheqjen e këtij projektligji nga Kuvendi i Kosovës. Duke e ditur rëndësinë që ka ky Projektligj, për zhvillimin e demokracisë në vend, nevojës së transparencës në funksion të politikbërjes dhe përfshirjes së të gjitha palëve në krijimin e tij, tërheqja e projektligjit dhe ridërgimi i tij, me bazë të mirë ligjore dhe demokratike, është veprim i duhur!”, ka shkruar Haradinaj.