Haradinaj liron nga detyra Sylejman Selimin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se ka liruar nga detyra, këshilltarin e tij politik, Sylejman Selimin. Sipas tij, ky vendim është marrë në bazë të kërkesës së Selimit.

“Kam liruar nga detyra e këshilltarit politik Sylejman Selimin, me kërkesen e tij.
Zotin Selimi e falenderova për kontributin e deritashëm në Zyrën time politike”, ka njoftuar Haradinaj në FB.

Disa ditë pasi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e emëroi ish-komandantin e UÇK-së, Sylejman Selimi si këshilltar politik në Qeveri, pati reaguar ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett duke thënë se kriminelët e luftës nuk e kanë vendin në Qeverinë e Kosovës.

Ai përmes një postimi në Tëitter iu bëri thirrje liderëve të të gjitha partive të ndalojnë mbështetjen e individëve të tillë.

“Një mbështetje e tillë e vë në dyshim angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit” ka shkruar ambasadori Kosnett.

Më 24 maj 2013, Sylejman Selimi ishte arrestuar dhe më vonë ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.

Me 25 janar të këtij viti, një panel i themeluar nga Këshilli Gjyqësor, e liroi Selimin me kusht nga vuajtja e dënimit me 6 vjet burg, pasi që kishte kaluar mbi 5 vjet në burg.