Haradinaj mburret me Policinë e Kosovës

“Mburrem me Policinë e Kosovës, me profesionalizmin e tyre, me sukseset e arritura dhe do të jem përkrahës i saj”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë e përvjetorit të 13-të, të Inspektoratit Policor të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij para të pranishmëve të shumtë të institucioneve vendore të rendit dhe sigurisë, por edhe nga Republika e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, tha se Inspektorati Policor është një institucion që i bënë krenarë të gjithë me suksesin e tij.

Kryeministri Haradinaj tha se sot është një ditë, kur prezenca e tyre qon porosi të rëndësishme, duke potencuar se për punën që bëjnë gjithmonë i sheh dikush dhe se sa më fuqishëm që i sheh, do të jenë më të kujdesshëm, më të saktë dhe më profesionistë, duke shtuar se ecja përpara në rend dhe ligj në Kosovë, me gjithë sfidat dhe rreziqet, bëhet kur secili në mandatin e tij, punon suksesshëm dhe në këtë mënyrë Kosova do të jetë partner i dobishëm i rajonit.

Kryeministri Haradinaj, më tutje shtoi se Qeveria që udhëheq ka ndërmarrë veprime direkte për fuqizimin e institucioneve të rendit dhe ligjit.

“Ne, me guxim kemi vepruar për dyfishimin e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ky vendim është një dëshmi se populli i Kosovës e kupton rëndësinë e gjyqësorit”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se janë të gatshëm që të rrisin numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, në vend.

Kryeministri Haradinaj, në këtë kontekst, theksoi se tani është radha që prokuroria dhe gjyqësia të marrin përgjegjësinë, duke uruar që në këtë mënyrë të shkohet kah treguesit dhe parametrat e suksesit, sepse ajo është e ardhmja.

Kryeministri Haradinaj bashkë me kryeshefen e IPK-së, i kanë nderuar me medalje “Miqësi e dëshmuar” udhëheqësen e ICITAP-it, Kimberly Riffe, ambasadorin Jaan Brathu, prokurorin Sylë Hoxha për kontributin e dalluar dhe punëtorin e IPK-së Bardhyl Haxhimustafën, për rolin e tij në hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeshefja e Inspektoratit Policor të Kosovës, Miradije Kelmendi, tha se ka ngritje intensive të goditjes së krimit me gjithë sulmet që janë bërë nga grupe të interesit dhe se janë të mbështetur nga partnerët, roli i të cilëve ka qenë evident. “Kjo dëshmon përkushtimin tonë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjithmonë në drejtim të ngritjes së integritetit policor”, tha kryeshefja Kelmendi, duke theksuar se ka një përkushtim në përmbushje të agjendës për sundim të rendit dhe ligjit.

Më tej, kryeshefja Kelmendi tha se Inspektorati Policor i Kosovës ka ngritur ura të bashkëpunimit edhe me agjenci homologe të rajonit dhe se do të ecin me hapa të sigurt në përmbushje të misionit në luftimin e çdo të keqe që kërcënon dhe rrezikon zhvillimin policor dhe se kjo forcë meriton të zhvillohet, ngase ka potencial profesional dhe organizativ për të siguruar forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe Shefi i Misionit të OSBE-së, Ambasadori Jaan Braathu, Udhëheqësja e ICITAP-it në Kosovë, Kimberly Riffe, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, prokurori i Prokurorisë Speciale, Sylë Hoxha, zëvendësministra dhe përfaqësues të tjerë vendorë dhe të ndërkombëtarë, njofton Zyra e Kryeministrit.