Haradinaj: Në çdo kohë dija duhet, në çdo etapë të jetës

“Tërrnje është një nga vendet që bartë në vete dhembjen më të madhe që ka dikush dhe kjo dhembje më ka bërë që kurrë të mos e harroj përjetimin dhe ndjenjën që kam pasur për ju. Sot është një moment gëzimi dhe i falënderoj të gjithë që kanë punuar që të gëzohemi së bashku”, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në inaugurimin e shkollës fillore në fshatin Tërrnje të Suharekës, që mbanë emrin e poetit Vaso Pashë Shkodrani.

Kryeministri në detyrë, Haradinaj tha se në fshatin Tërrnje ka ardhur në vjeshtën e vitit 1999 si komandant i Zonës së dytë, dhe nga banorët e fshatit ka mësuar për dhembjet e madhe të këtij vendit, për njerëzit që kanë humbur jetën gjatë luftës.

Duke iu gëzuar fillimit të vitit të ri shkollor, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se gëzim i dyfishtë është në Tërrnje, ashtu siç është sot edhe në Krushë dhe në shumë vende, ku dikur u provua të ndalej jeta, të ndalej vazhdimi ynë dhe të ndërpritet e gjithë ajo që kishim trashëguar brez pas brezi.

“Sot është dëshmia më e mirë se jeta jonë vazhdon në vendin tonë, se ne do të vazhdojmë të jetojmë, të shkojmë në shkollë dhe të zëmë dijen”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Duke falënderuar kryetarin e Komunës, Bali Muharremaj dhe gjithë të tjerët për punën që kanë bërë për këtë shkollë, kryeministri në detyrë Haradinaj u tha banorëve të fshatit, prindërve, fëmijëve, mësimdhënësve, se nuk janë të vërteta fjalët se shkolla nuk duhet.

“Kohërat ndryshojnë shpejt dhe ata që kanë kryer shkollë mirë, atë që kanë nxënë dije do të jenë të gjithë të zotët. Në çdo kohë dija duhet, në çdo etapë të jetës. Mos lejoni që të mos bëheni nxënës të mirë dhe të mos garoni ndërmjet vete. Në botë është një lloj gare dhe gjithë bota po bëhet bashkë një vend i vogël dhe të gjithë do të jemi në garë, të rinjtë tanë me të rinjtë tjerë dhe me ata të rajonit dhe kam dëshirë që fëmijët tanë të jenë më të zotët. Unë besoj se do të dalim më të zotët së bashku. Urime ky vit shkollor, nxënës, prindër mësimdhënës, uroj të bëheni më të mirët në botë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Drejtori i shkollës, Jeton Vranoci, tha se sot është ditë e veçantë për banorët dhe nxënësit e fshatit, por edhe për mësimdhënësit e kësaj shkolle, sepse sot po krijohen mundësi të reja për nxënien e diturisë, që ishte ëndërr e secilit nga ne.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe ministri në detyrë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, njofton Zyra e Kryeministrit.