Haradinaj nga Peja: Nuk na duhet liria kur jemi të izoluar

Në 20-vjetorin e çlirimit të Pejës dhe Deçanit, në qytetin e Pejës është bërë zbulimi i shtatores së Heroit të Kombit gjeneral-major Shkëlzen Haradinaj dhe Obeliskut të 183 dëshmorëve nga Komuna e Pejës.Me këtë rast kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se heronjtë dhe martirët e vendit dhanë jetën për të qenë të lirë, e jo të izolur. Aandaj pati një porosi për bashkësinë ndërkombëtare.  “Nuk dëshirojmë liri që e izolojmë lirinë, e izolojmë popullin tonë. Ne e kemi kërkuar lirinë tonë po e kemi kërkuar lirinë për t’iu bashkuar popujve tjerë, botës, NATO-s. Dëshirojmë me lirinë tonë me u kyç në lirinë e të tjerëve. Kemi përuruar autorrugën me Maqedoninë e Veriut, ku kemi treguar se si mund të lidhemi. Ne jemi të interesuar me i thelluar marrëdhëniet me shtetin e Malit të Zi për një gatishmëri të tyre për të zgjidhur çdo problem. Ne kemi me i takuar familjes evropiane. Ne jemi krenar që si Dukagjin e kemi dhënë provimin në kohën e luftës, Dukagjini nuk e la vet Drenicën, nuk i la Jasharajt. Kurrë nuk kemi me i tradhëtuar miqtë dhe aleatët tanë”.

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se përmendorja dhe obelisku janë obligim për qytetin e Pejës.“Përmendorja e Shkelzenit dhe obelisku i dëshmorëve janë jo vetëm një obligim, por nder për qytetin e Pejës. Institucionet e Kosovës të punojnë ndershëm që dëshmorët që ranë të kenë një atdhe me të cilën të krenohen”, tha ai.

Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe ish- presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.