Haradinaj pas takimit me koalicionin: Vendi duhet të shkoj në zgjedhje

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka folur pas takimit që ka pasur me ish-partnerët e tij në koalicion.

Ai ka thënë se pas dorëheqjes së tij dhe të Qeverisë që drejtonte, tani është me rëndësi që veprimet që pasojnë vendin ta çojnë në zgjedhje, në mënyrë që siç ka thënë, sovrani të vendosë.

“Është një bindje e gjithë neve që zgjedhjet të ndodhin në kohë dhe të mos ketë vonesa, të shohim më tutje”, ka thënë Haraidnaj para gazetarëve.

Kur ka folur për PDK-në, ai ka thënë se është kohë fushatash.

“Është me rëndësi që e kemi dëgjuar deklaratën e Veselit se është për zgjedhje dhe ka bazë të mirë që ka vullnet për zgjedhje. U dakorduam që të mos humbet kohë. Të ketë koordinime”, ka thënë Veseli.

Haradinaj ka kërcënuar se nëse presidenti vonohet, Kuvendi do të procedojë me mocion mosbesimi. Megjithatë nuk ka dhënë datë.

“Nëse ka vonesa presidenti atëherë në javën tjetër e iniciojmë mocionin e mosbesimit në Kuvend”, ka thënë Haradinaj.

E kur është pyetur nëse rrjedhimisht e premtja është dita e fundit për presidentin, ai ka thënë se nuk mund të flasë me data.

“Çështja kur duhet me ndodhë mocioni është më mirë mos me dhënë data askush, po me koordinu një datë ku të gjitha partitë bashkohen. Nuk është interesi i tillë, interesi është që të gjithë të kryejmë punë”, ka thënë Haradinaj.