Haradinaj reagon për vrasjen e nënës së këshilltares së tij

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj është shprehur i prekur nga vrasja e gruas në Prizren, që dyshohet se u krye nga bashkëshorti i saj.

Haradinaj duke ngushëlluar familjen për këtë rast tragjik që tronditi vendin, gjatë natës së shkuar, ka kujtuar se viktima Armenda Aliu ishte nëna e anëtares së partisë së tij dhe këshilltares Diellëza Hoti.

“Thellë i prekur nga vdekja tragjike e Armenda Aliut, mikes sonë dhe nënës së koleges nga kabineti Diellza Hoti. Ngushëllime familjes dhe miqve. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”, shkruan Haradinaj në facebook.

Viktima Aliu dyshohet se u qëllua mbrëmë nga bashkëshorti i saj, 20 vjet më i vjetër, në shtëpinë e tyre në Prizren. Çifti po qëndronte në Kosovë për pushime, pasi jetonin në Zvicër.

Sipas raportimeve, burri që e qëlloi atë 15 herë me armë zjarri, kishte telefonuar vetë policinë pasi kishte kryer krimin.