Haradinaj riaktualizon temën e demarkacionit

Çështja e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, kishte shkaktuar krizë politikë dhe protesta të mëdha të opozitës. Miratimi i demarkacionit kishte ndodhur pas premtimeve të shumta të zyrtarëve perëndimorë për hapjen e rrugës për përparimin e agjendës së Kosovës për integrime europiane, përfshirë liberalizimin e vizave.

Kryeministri aktual Haradinaj, ishte ndër më të zëshmit për kalimin e demarkacionit, sipas verzionit të përcaktuar nga komisionet shtetërore. Miratimi i demarkacionit ishte përcjellur me një përkushtim shtesë të palëve për rishikim të vijës së demarkacionit dhe vlerësimit të faktit nëse Kosova po humbte territor në këtë proces.

Së fundi, Kryeministri Haradinaj ka njoftuar se komisionet ndërshtetërore të Kosovës e Malit të Zi së shpejti takohen për rishikimin e demarkacionit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit!

“Për çështjen e rishikimit të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në raste të shumta, në mirëbesim të plotë, kam biseduar me homologun tim malazez, Dusko Markovic. Kosova dhe Mali i Zi janë gati të formojnë komisionet për rishikimin e demarkimit të kufirit në drejtim të Kullës dhe Çakorrit”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj më tej ka theksuar se “Edhe gjatë Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan, me kryeministrin e Malit të Zi rikonfirmuam dakordimin që komisionet të fillojnë punën në afat optimal dhe që së shpejti të hapet një pikë kufitare në Çakorr dhe Kullë. E falënderoj homologun tim, Dusko Markovic, për qasjen konstruktive dhe vullnetin për fuqizimin e miqësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona.”