Haradinaj: Senatorët amerikanë s’kërkuan “kompromis të dhimbshëm” për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka dhënë detaje rreth takimit të djeshëm me senatorët amerikanë, ku ka thënë se nuk është kërkuar nga ta në asnjë mënyrë ndarja e Kosovës, raporton EkonomiaOnline.

Ai tha se për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, Kosovës nuk i është kërkuar ndonjë kompromis i dhimbshëm, teksa shtoi se ai ka kërkuar edhe njëherë njohjen nga Serbia.

“Takimi i djeshëm me senatorët amerikanë nuk është kërkuar asnjë kompromis i dhimbshëm dhe unë kam kërkuar njohje nga Serbia”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq për takimin e zhvilluar me kryetarët e partive politike nga Medvegja, kryetarin e Alternativës për Ndryshim, të Partisë Demokratike dhe atë të Partisë për Veprim Demokratik, ka thënë se nuk është biseduar për territore.

“Për fat të mirë dialogu është heq nga tavolina që e kishte opsion ndarjen e Kosovës. Me ta kemi biseduar për zgjedhje dhe për vështirësitë që i kanë ata atje. Gjithashtu edhe për heqjen e njerëzve nga zgjedhjet. Në përgjithësi kemi biseduar për interesat e shqiptarëve atje”, tha ai.

Haradinaj i ka ftuar të gjithë liderët politikë kosovarë së bashku të jenë në një medium që t’i shpalosin programet e tyre.