Haradinaj-Stublla për varrimin e gruas serbe nga ana e BIK’ut: Dëshmohet harmonia ndër-etnike dhe ndër-fetare në Kosovë

Meliza Haradinaj-Stublla, Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka përshëndetur vendimin e Bashkësisë Islame të Kosovës për varrimin e një gruaje me nacionalitet serb, e cila kishte vdekur në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë.

Haradinaj-Stublla ka thënë se një veprim i tillë tregon ekzistimin e përhershëm të harmonisë ndër-etnike dhe ndër-fetare. Kryediplomatja këto komente i bëri në llogarinë e saj në ‘Twitter’, raporton Gazeta Express.

“Njoftimi i kryetarit të Komunës së kryeqytetit, Shpend Ahmeti, për bashkë-organizimin me Bashkësinë Islame të Kosovës për ceremoninë e varrimit të një gruaje me nacionalitet serb, e cila vdiq në Shtëpinë e Pleqve në Prishtinë, dëshmon harmoninë e vërtetë ndër-etnike dhe ndër-fetare, e cila gjithmonë ekziston në Kosovë”, ka shkruar ajo.

E lidhur me këtë, ka reaguar edhe BIK’u, teksa ka thënë se harmonia dhe toleranca janë vyrtyte të shqiptarëve.

“Këtë përgjegjësi (varrimin e gruas me nacionalitet serb) e mori Këshilli i Bashkësisë Islame e cila në bashkëpunim me Komunën organizoi komplet ceremoninë e varrimit, duke dëshmuar edhe njëherë se harmonia dhe toleranca janë virtyte të popullit shqiptar”, thuhet në komunikatën e Bashkësisë Islame.

Lidhur me rastin, fillimisht njoftoi i pari i Komunës së Prishtinë, përmes një postimi në ‘Facebook’.

“Sot ka ndërruar jetë një qytetare e moshuar e nacionalitetit serb në Shtëpinë e Pleqve. Ishte vetë dhe nuk paska pas askënd. Për arsye te pasqaruara, nuk kishte askush për ta varrosur përfshi edhe institucionet fetare të cilave i përkiste. Se bashku me Bashkësinë Islame organizuam varrimin. Dua që publikisht ta falenderoj Bashkësinë Islame për gjithë organizimin. Në fund humaniteti – njerzillaku është më i rëndësishmi”, është thënë në njoftimin e Ahmetit. /Gazeta Express/