Haradinaj takon deputeten e Senatit të Francës

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Paris, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me Marta de Cidrac, deputete e Senatit të Francës dhe kryetare e grupit të miqësisë me Ballkanin Perëndimor, njofton Zyra e Kryeministrit.

Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar deputeten Marta de Cidrac me angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës për të thelluar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e mirë të Kosovës me të gjitha vendet mike dhe përkrahëse të Kosovës. “Ne konsiderojmë Francën një vend mik dhe mbështetës të vendit tonë, për arsye se kjo është dëshmuar në të gjitha fazat e ndërtimit dhe zhvillimit të shtetësisë sonë”, ka thënë kryeministri.

Këtë raport miqësorë midis dy vendeve tona, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, e bëjnë edhe më të thellë angazhimi i miqve nga të dyja vendet duke shprehur falënderimin e tij për angazhimin e deputetëve të Asamblesë Nacionale të Francës për të promovuar miqësinë e dy vendeve tona.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka theksuar përkushtimin e Kosovës për të ecur drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike dhe për të qenë pjesë me detyra dhe obligime të plota në familjen e madhe evropiane. “Kosova është e bindur që në këtë rrugë do të jetë e mbështetur nga miqtë e saj dhe nga Franca, pa asnjë hezitim”, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka theksuar se aktualisht pret një mbështetje dhe më aktive në finalizimin e realizimit të të drejtës së qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm në Evropë, e drejtë kjo që është duke iu mohuar kosovarëve pa të drejtë.

“Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë rrugën e saj për të qenë faktor stabiliteti dhe kontribuuese e paqes në rajon me qasjen dhe politikat e saja të drejta dhe në dobi të të gjithëve, ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj.

Deputetja franceze ka shprehur falënderimin për takimin me kryeministrin Haradinaj dhe ka shprehur angazhimin e për të vazhduar lobimin në favor të zhvillimit marrëdhënieve midis dy vendeve dhe integrimit të plotë të Kosovës në familjen evropiane, njofton Zyra e Kryeministrit.