Haradinaj takon gazetarët nga Vjena

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka pritur një grup gazetarësh dhe korrespodent ndërkombëtarë nga Vjena. Duke u përgjigjur në pyetjet e tyre, Haradinaj ka theksuar se Kosova ka shënuar progres të madh në këto vite nga çlirimi i saj, por vazhdon të ketë edhe shumë sfida përpara.

Postimi i plotë i kryeministrit Haradinaj në FB:

Diskutim i hapur dhe përmbajtësor me një grup gazetarësh nga Vjena dhe korrespodent ndërkombëtarë që punojnë në kryeqytetin e Austrisë.
Duke u përgjigjur në pyetjet e tyre, theksova se Kosova ka shënuar progres të madh në këto vite nga çlirimi i saj, por vazhdon të ketë edhe shumë sfida përpara. Potencova faktin, se vendi ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe se jemi të përgjegjshëm karshi detyrimeve tona si shtet. Sa i përket dialogut, Kosova është palë serioze për dialog të kornizuar, që çon në marrëveshje finale, ligjërisht të obligueshme dhe që rezulton me njohje reciproke, derisa në çështjet e brendshme, po punojmë dhe kemi shënuar progres në fuqizimin e rendit dhe ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe zhvillimit ekonomik. Krahas kësaj, jemi orientuar në forcimin e edukimit, me fokus të veçantë edukimin dual.