Haradinaj tenton të emëroj njeriun e vet për Sekretar të Ministrisë së Mbrojtjes?

Konkursi për zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes është mbyllur, por siç po duket jo edhe tentimet që në këtë pozitë të emërohet një njeri i afërt me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Për këtë pozitë ishte shpallur konkurs meqë ish-Sekretari i Përgjithshëm, Shkëlzen Sylaj, ishte larguar, ndërsa ushtrues detyre deri në zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm u emërua zyrtari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, Faruk Geci.

Ndërkaq, për këtë pozitë kanë kandiduar Dafina Hasani, Xhevat Ramosaj, Lulzim Gjonbalaj, Dardan Stublla, Iliriana Kuqi, Nuhi Mani, Faruk Geci, Elhami Hoxha, Krenare Sogojeva-Dermaku dhe Ekrem Ademi, raporton Veriu.info.

Njëri prej kandidatëve, Dardan Stublla, është bashkëshorti i Meliza Haradinaj-Stublla, e cila është këshilltare politike e shefit të Qeverisë, Ramush Haradinaj.

Ndërsa, partia e Haradinajt, AAK, është duke provuar që patjetër Stublla të bëhet Sekretar i Përgjithshëm në Ministri të Mbrojtjes për të shtrirë ndikimin edhe më të madh në këtë ministri pas largimit të ish-Sekretarit, Sylaj i cili ishte i afërt me strukturat e PDK-së së Kadri Veselit.

Krahas kësaj, kjo ministri udhëhiqet politikisht nga dy figura të AAK-së, gjegjësisht ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe zv/ministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, që vijnë nga radhët e partisë së kryeministrit Haradinaj.

Vlen të theksohet se Dardan Stublla njihet si njeri i afërt edhe me zv/kryeministrin dhe ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjke, Dardan Gashi, me të cilin kishin bashkë-themeluar “Listën Ibrahim Rugova”.