Haradinaj thotë se Kosova po përgatit mjekë që t’i marrë Gjermania

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim ministrin gjerman të Shëndetësisë, me të cilin thotë se ka biseduar për disa tema të rëndësishme.

Ndër temat e diskutimit, Haradinaj e ka përmendur edhe faktin se me Gjermaninë ka një bashkëpunim për rritjet e kapaciteteve të Kosovës që të prodhojë kuadro për tregun gjerman dhe evropian, shkruan Reporteri.net.

“Kënaqësi ta prisja Ministrin e Shëndetësisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Jens Spahn, me të cilin diskutuam për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fushën e shëndetësisë, në certifikimin e mjekëve, infermierëve, ngritjen e shërbimeve mjekësore dhe përmirësimin në arsimin mjekësor duke rritur kapacitetet e Kosovës në ofrimin e shërbimeve mjekësore për në tregun gjerman dhe atë europian”, ka thënë Haradinaj pas takimit.

Ndërkohë, kryeqeveritari ka potencuar se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë në nivel të lartë dhe, sipas tij, ky bashkëpunim po intensifikohet përmes investimeve në Shëndetësi.

Sidoqoftë, është raportuar disa herë për numrin e lartë të mjekëve të rinj dhe infermierëve që largohen nga Kosova për të punuar në Gjermani.

Ndryshe, mediat në Gjermani kishin raportuar shumë herë se ky vend ka nevojë për kuadro të reja në këtë profesion.