Haradinaj: Vendet Schengen nuk do të kenë kokëçarje nga lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës

“Policia ka mision ruajtjen e rendit dhe ligjit në Kosovë, e ruan jetën e njerëzve të këtij vendit dhe mund të them se njerëzit e Kosovës janë me fat që ju kanë ju, që ju kemi ju, e që kujdeseni për jetën, rendin, pasurinë, për gjithë ato vlera që Kosova i ka krijuar “, kështu tha kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e shënimit të 20- vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Kryeministri në detyrë Haradinaj, para të pranishmëve të shumtë, tha se Policia e Kosovës është partner i mirë në luftimin e krimit të të gjitha rreziqeve dhe kërcënimeve, partner i mirë për policitë e rajonit, për policinë e kontinentit tonë në BE, e po ashtu policia jonë e meriton të jetë anëtare e INTERPOL-it dhe të luftojë krimin transnacional.

Kryeministri në detyrë Haradinaj tha se është e metë e madhe që disa vende të botës, përfshirë edhe disa vende të mëdha, e pengojnë anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, duke theksuar se pengimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, është ndihmesë për krimin.

“Kushdo që nuk lejon që edhe Kosova të bëhet anëtare e INTERPOL-it, nuk dëshiron rend dhe ligj, nuk dëshiron luftimin e krimit transnacional dhe kërcënimeve të tjera dhe bën kompromise me sigurinë jo vetëm të Kosovës dhe rajonit, por bën kompromis dhe e rrezikon sigurinë e kontinentit tonë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se Kosova si vend sovran është anëtare e koalicionit botëror në luftën kundër terrorizimit dhe si aleate i merr përgjegjësitë e saj me besnikëri dhe për këtë Policia e Kosovës e kryen pjesën e vet të punës në mënyrën më të mirë.

Duke parë standardin në të cilin punon Policia e Kosovës dhe standardet në të cilat punojnë mekanizmat tjerë të rendit dhe ligjit në Kosovë, kryeministri në detyrë Haradinaj, i ka siguruar vendet e BE-së se me vendimin për liberalizim të vizave nuk do të ketë befasi për vendet e BE-së.

“Asnjë nga ministrat brendshëm të vendeve Schengen nuk do të ketë kokëçarje nga lëvizje e lirë e qytetarëve të Kosovës. Kjo për faktin, se në Kosovë ka një evidencë, një databazë, një sistem të mbikëqyrjes dhe kontrollit të lëvizjes në kufi, të hyrje-daljeve, të tillë që nuk mund të befasohet askush nga ne. Jemi në pritje të vendimit të vendeve të BE-së për liberalizim dhe i garantojmë të gjithë se Qeveria dhe Policia e Kosovës do t’i kryej me sukses detyra te veta”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se do të jenë në përkrahje të rritjes dhe zhvillimit të Policisë, e po ashtu do të jenë në përkrahje të misionit të tyre të shenjtë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, tha se Policia e Kosovës është ndër institucionet e para të themeluara për çlirimit të vendit, andaj policia është e lidhur ngushtë me të arriturat dhe sfidat e shtetndëritmit, me komponentët e rëndësishme të shtetit, sigurinë.

Drejtori Qalaj, tha se burrat dhe gratë më besnikë të këtij vendi ishin dhe janë pjesëtarë të policisë së Kosovës, andaj sot ndihet ndjehet krenar me rezultatet e dy dekadave të ekzistencës dhe me punën e palodhshme të Policisë së Kosovës.

“Gjatë këtij rrugëtimi Policia e Kosovës është përballur më vështirësi, sfida dhe situata komplekse e sfiduese të sigurisë, por ato kanë ndikuar në forcimin dhe zhvillimin tonë”, tha drejtori Qalaj, duke theksuar se në polici nuk ka probleme, por vetëm zgjidhje të tyre.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin personalitete të shumta të institucioneve vendore e ndërkombëtare, drejtor të agjencisë të sigurisë dhe partnerë ndërkombëtar, ndërsa nga një fjalë para të pranishmëve mbajtën presidenti Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, shefi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, njofton Zyra e Kryeministrit.