Haradinaj: Zyrtari rus ishte “spiun i kamufluar si punëtor i OKB-së”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, një një reagim të fundit ka shkruar se zyrtari rus që punon në misionin e UNMIK-ut, Mikhail Krasnoshchenkov, ishte spiun.

“Policia e Kosovës gjatë operacionit kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës ka arrestuar një qytetar rus, një spiun të kamufluar si punëtor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara i cili ka penguar sundimin e ligjit duke përdorur veturën zyrtare të OKB-së”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Më tej, sipas kryeministrit, veprimet e shtetasit rus në Kosovë janë kundër së drejtës dhe normave ndërkombëtare.

“Pengimi i drejtësisë dhe keqpërdorimi i simboleve të OKB-së janë shkelje e rëndë. Misioni i Rusisë pranë OSBE-së duhet ta kuptojë se sundimi i ligjit është përgjegjësi e jona ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës në një shoqëri që ne ndajmë së bashku”, thuhet në reagimin e Haradinajt.