Haskuka: Dëmtimi i Xhamisë së Namazxhahut është akt kriminal dhe vandalizëm

Dëmtimi i Xhamisë së Namazxhahut në Prizren është dënuar ashpër nga kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Ai ka ftuar Policinë e Kosovës dhe institucionet e drejtësisë që t’i gjejnë fajtorët të cilët kanë dëmtuar Xhamisë së Namazxhahut “në mënyrë që t’i marrin dënimet e merituara”.

Ai ka theksuar se dëmtimi i pronës publike është vandalizëm dhe i sanksionuar me ligj, ndërsa dëmtimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore është vepër penale. “Sipas ligjeve në fuqi, dënimi për këto vepra mund të shkojë deri në 5 vjet burgim. Dëmtimet e shkaktuara në xhaminë e hapur të Namazxhahut janë akte kriminale nga njerëz të papërgjegjshëm dhe qyqar”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

Në reagimin e tij, ai ka theksuar se objektet e trashëgimisë kulturore janë pasuri e përbashkët që e dallojnë Prizrenin si qytet historik.