Haskuka deri nesër zgjedh drejtorin e ri të Arsimit, drejtorët e zgjedhur nga Nisma Socialdemokrate, Hajdari e Oreshka vazhdojnë detyrën

Zhvillimet e fundit në qeverinë lokale të nisura me dorëheqjen e drejtorit të Financave, Ertan Simitçi, largimin e drejtorit të Arsimit, Gani Gërmizaj, dhe braktisjen e koalicionit nga Nisma Socialdemokrate e Zafir Berishës, kanë shkaktuar ç’rregullime në qeverisjen lokale me Prizrenin.

Kryetari Mytaher Haskuka, duke u përgjigjur në interesimin e gazetarëve tha se gjatë ditës së sotme ose nesër, do të emërojë drejtorin e ri të Arsimit, ndërsa saj përket çështjes së drejtorit të Financave, ai është në pritje të përzgjedhjes që do ta bëjë partneri i koalicionit KDTP. Ndërsa përkundër braktisjes së koalicionit nga Nisma Socialdemokrate, drejtorët e përzgjedhur në fillim të bashkëqeverisjes nga ky subjekt politik, Osman Hajdari dhe Ehat Oreshka, do të vazhdojnë të ushtrojnë përgjegjësitë në krye të këtyre dikasterëve, ka theksuar kryetari Haskuka.

Kryetari Haskuka, tha se ai nuk iu ka kërkuar drejtorëve Hajdari dhe Oreshka, që të vazhdojnë punën në krye të drejtorive me kushtin që t’i bashkohen subjektit të tij, Lëvizjes Vetëvendosje. Ndryshe, gjatë ditës së sotme, ish partneri i koalicionit Nisma Socialdemokrate përmes një komunikate për opinion, ka thënë se drejtorët, Osman Hajdari dhe Ehat Oreshka, nuk janë në përputhje me përcaktimin politik të kësaj partie.