Haskuka kërcënon shërbyesit civil

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka përmes një shkrese ka kërcënuar shërbyesit civil të kësaj komune.

Kërcënimi lidhet me angazhimin politik të shërbyesve civil, angazhim ky i cili ka qenë i ndaluar me LIGJIT NR. 03/L-149 PËR SHËRBIMIN CIVIL TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, por i ndryshuar me LIGJIN NR. 06/L-114 PËR ZYRTARËT PUBLIKË.

Ligji për shërbimin civil në Nenin 17.3 ka përcaktuar se “Nëpunësit civil nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktiv politikisht.”

Ndërkaq Ligji i sapomiratuar mbi zyrtarët publik, në Nenin 22 ka përcaktuar se:

“1. Zyrtari publik ka të drejtë të marrë pjesë në aktivitete politike vetëm jashtë orarit zyrtar të punës dhe jashtë ambienteve të institucioneve publike. 
2. Nëpunësi i Shërbimit Publik dhe nëpunësi administrativ dhe mbështetës mund të jenë anëtarë të partive politike dhe anëtarë të organeve drejtuese të një partie politike, me përjashtim të nëpunësit të shërbimit publik të nivelit të lartë drejtues, të cilët mund të jene anëtarë të partive politike, por nuk mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese (qendrore dhe komunale) të një 
partie politike. 
3. Nëpunësit civilë, me përjashtim të nëpunësve të kategorisë së lartë drejtuese, mund të jenë anëtarë të partive politike, por nuk mund të jenë anëtarë të organeve drejtuese (qendrore dhe komunale) të një partie politike.” 

Haskuka në letrën e tij më tej ka kërkuar që të identifikohen të gjithë shërbyesit civil dhe deri të hënën të paraqitet një raport për gjendjen e stafit. Krahas kësaj, Haskuka ka kërkuar që shërbyesit civil të identifikuar të njoftohen se ndaj tyre do të inicohen procedura disciplinore.

Javëve të kaluar, Kryetari i Komunës së Prizrenit gjithashtu ishte akuzuar për punësime partiake me ç’rast ishte publikuar edhe një listë me persona të cilët ishin punësuar në Komunën e Prizrenit dhe njëkohësisht pretendohej të ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt të cilit i përket Haskuka.