Haskuka kërkon që Agjencia ta ndryshojë vendimin për ariun

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka vlerësuar se trajtimi i çështjes së ariut duhet të bëhet në formë tjetër dhe jo me anë të vrasjes së tij. Ai ka kërkuar nga Agjencia e Pyjeve të Kosovës që ta rishqyrtojë vendimin e saj, që lejon vrasjen e ariut të murrmë.

“Agjencia Pyjore e Kosovës do të ishte mirë që ta rishqyrtonte vendimin e saj dhe të jetë në gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje tjetër, pasi që ky vendim është në kundërshtim edhe me rekomandimet dhe qëndrimet e komisionit profesional të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimt Hapësinor.

Ne si Komunë kemi pasur disa takime ndërmjet Drejtorisë së Bujqësisë, Drejtorisë për Emergjencë dhe Siguri, shoqatave të gjahtarëve, Drejtorisë së Parkut Nacional, Policisë së Kosovës dhe ekspertëve të faunës për trajtimin e kësaj problematike dhe shtimin e masave të sigurisë për banorët e fshatrave përreth.

Gjithashtu kemi kërkuar mbështetje edhe nga Pylli i Arinjve Prishtina dhe institucionet e shoqatat e tjera përgjegjëse, duke e shikuar si mundësi edhe ndërrimin e habitatit të ariut”, ka shkruar Haskuka në FB.

Ai ka shprehur qëndrimin se “arinjtë dhe shumë kafshë të tjerë që jetonë në natyrë janë pasuri për faunën tonë dhe ata duhet t’i mbrojmë deri në fund”.