Haxhi Avdyli ka inicuar kërkesën për komision hetimor për lejet e hidrocentraleve

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli ka iniciuar kërkesën për ngritjen e Komisionit parlamentar për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.Në një paraqitje para mediave, Avdyli tha se ky komision në mënyrë të veçantë do të adresojë shkeljet eventuale ligjore procedurale në dhënien e lejeve të ministrive të linjës dhe autoriteteve të tjera për operimin e hidrocentraleve.

“Kemi filluar me procedurat për ngritjen e këtij komisioni hetimor i cili do të merret kryesisht për hetimin e çështjeve të lumenjve, shfrytëzimin e tyre, çështjen e hidrocentraleve dhe mbikëqyrjen e aplikimit të lejeve të ndryshme për hidrocentrale, në mënyrë të veçantë ky komision do të adresojë edhe shkeljet eventuale ligjore procedurale në dhënien e lejeve të ministrive të linjës, autoriteteve të tjera, mënyrën e shfrytëzimit të burimeve ujore, korrupsionit institucional të mundshëm që mund të ketë ndodhur gjatë adresimit të këtyre çështjeve. Unë sot kam marrë përkrahje edhe të kryetares së Kuvendit të Kosovës për këtë iniciativë, pastaj të kryetarit të Komisionit për Bujqësi nga Lëvizja Vetëvendosje, kolegë të ndryshëm të cilët e kanë përkrahur këtë komision po ashtu kërkesën për nënshkrime e kam dorëzuar edhe në Grupin Parlamentar të LDK i cili grup do ta marrë një vendim për përkrahje për ngritje të këtij komisioni”, tha Avdyli, raporton ksp.

Për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar duhen 40 nënshkrime të deputetëve, por Avdyli tha se është optimist që do t’i sigurojë këto nënshkrime.

“Duke shikuar nëse ka pasur abuzime me detyrën, ka pasur shkelje ligjore dhe gjëra të tjera të cilat i kanë dëmtuar lumenjtë, kanë dëmtuar ekosistemet në këta lumenj, disa hidrocentrale që tashmë janë në punë dhe duke pretenduar për ngritjen edhe të disa hidrocentraleve kryesisht në zonën e Zhupës së Prizrenit, në zonën e Brezovicës, në zonën e Deçanit dhe në veri dhe këto kanë shkaktuar shqetësime shumë të mëdha të qytetarëve të cilat janë adresuar edhe tek ne, dhe kanë kërkuar edhe ndihmë tonë që të adresohen këto hidrocentrale të cilat po e marrin ujin po e fusin në gypa, duke e lëne sipas ligjit 30% të ujërave të shfrytëzuar për ekosistemin aty që shpeshherë edhe kjo nuk mjafton ose dhe nuk lëshohet as 30%-shi duke dëmtuar ekosistemin, biodiversitetin e asaj zone që mund të jetë zonë disa kilometërshe”, theksoi Avdyli.

Tags: